Ministri i Jashtëm izraelit i përgjigjet Erdoganit: Je një kriminel lufte
Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz ka reaguar pas deklaratës së presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili e përshkroi mbështetjen e Perëndimit për Izraelin si “të mjerueshme” dhe Benjamin Netanyahun një “të sëmurë mendor”. Katz e cilëson liderin turk si një kriminel lufte që mbështet terroristët.
“Erdogan ka shpallur mbështetjen e tij për Hezbollahun kundër kërcënimeve nga Izraeli”, tha ministri i Jashtëm duke shtuar se presidenti turk “është një kriminel lufte që masakron kurdët e pafajshëm përtej kufirit sirian dhe përpiqet t’i mohojë Izraelit të drejtën për të vetëmbrojtje kundër një organizate terroriste që sulmon nga Libani nën urdhrat e Iranit. Hesht dhe ki turp!”.
“Kuptohet se Izraeli, i cili dogji dhe shkatërroi Gazën, tani i ka vënë sytë Libanit. Edhe pse fuqitë perëndimore para kamerave flasin ndryshe, ne shohim se në prapaskenë ata po e përkëdhelin pas shpine Izraelin dhe madje e mbështesin atë. Është jashtëzakonisht e dëshpëruar dhe e mjerueshme që shtetet, të cilat kur flasin për lirinë, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë, janë robër të një pacienti mendor si Netanyahu”, tha më herët Erdogan duke shigjetuar Perëndimin dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.