Ministri i jashtëm kinez vizitë në Shqipëri, takohet me Metën dhe Ramën
Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, Sh.T.Z. Wang YI ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri. Vizita përkon me 50-vjetorin e kthimit të Kinës në OKB, për të cilin Këshilltari i Shtetit dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Wang Yi, nënvizoi kontributin e veçantë të Shqipërisë dhe përcolli falenderimet e mirënjohjen e qeverisë dhe popullit kinez.
Ai është takuar me Presidentin e vendit, Ilir Meta, kryeministrin Rama dhe me ministren e Jashtme Olta Xhaçka.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, dhe Këshilltari i Shtetit dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Wang Yi, shkëmbyen mendime mbi situatën e marrëdhënieve dypalëshe ku u theksua vullneti reciprok për zgjerimin e shkëmbimeve ekonomike, tregtare, kulturore, por edhe diplomatike e politike.
Një vend të veçantë zuri në këtë bisedë edhe shkëmbimi i mendimeve mbi bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit ku Shqipëria do të ulet për një mandat dy vjeçar gjatë viteve 2022 – 2023. Të dy ministrat konfirmuan vullnetin e dyanshëm për të zhvilluar konsultime e për të bërë përpjekje të sinqerta për të gjetur hapësira bashkëpunimi e mirëkuptimi.
“Shqipëria ndjek sot një politikë të jashtme të bazuar tek parime e vlera që frymëzohen nga eksperienca jonë historike. Ne kemi vullnetin e plotë për të bashkëpunuar ngushtë me Republikën Popullore Kineze për të gjithë ato çështje ku ndajmë qëndrime e interesa të përbashkëta, duke njohur e vlerësuar rolin dhe peshën e Kinës në arenën globale,” u shpreh Ministrja Xhaçka.
Presidenti Meta ka ndarë detaje nga takimi dhe u shpreh se marrëdhëniet ekonomiko-tregtare janë me interes dhe dobi për të dyja vendet.
“Takim miqësor dhe bisedë e hapur me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, Sh.T.Z. Wang YI.
Vlerësova miqësinë tradicionale dhe marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe shpreha dëshirën për t’i forcuar edhe më tej në të ardhmen, shkruan oranews.
Zhvillimi i marrëdhënieve ekonomiko-tregtare, shkëmbimet në bujqësi, turizëm, kulturë dhe arsim janë fusha me interes dhe me dobi reciproke për vendet dhe popujt tanë.
Duke theksuar rëndësinë e rolit të Shqipërisë, si anëtare jo e përhershme e Këshillit të sigurimit të OKB-së për vitet 2022-2023, që përkon edhe me 50-vjetorin e anëtarësimit të RP të Kinës në OKB, e sigurova Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, Sh.T.Z. Wang YI për bashkëpunim në funksion të forcimit të mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit kudo në botë.”
Ndërsa nga takimi me kryeministrin nuk janë bërë të ditura detaje se për çfarë u diskutua. Vizita e Ministrit Wang Yi është e para e një krydiplomati të Republikës Popullore të Kinës që prej vitit 2011.