Ministri i Jashtëm rus do ta takojë homologun ukrainas

07 mars 2022 | 14:24

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pritet të takohet të enjten në Antalia të Turqisë me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba.

Ky pritet të jetë takimi i parë midis diplomatëve të lartë qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.

Lajmin e ka bërë me dije ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, në një deklaratë të shkurtër për mediat.

Turqia, anëtare e NATO-s, e cila ndan kufi detar me Rusinë dhe Ukrainën në Detin e Zi, është ofruar si nikoqire e bisedimeve.

Ankaraja ka marrëdhënie të mira si me Moskën, ashtu edhe me Kievin.

Ajo e ka cilësuar si të papranueshëm pushtimin rus të Ukrainës, ndonëse i ka kundërshtuar sanksionet kundër Rusisë.

Kuleba ka thënë të shtunën se është i hapur për bisedime me Lavrovin, por vetëm nëse ato janë “domethënëse”.

Për lajme në kohë reale nga lufta në Ukrainë, na përcillni në këtë blog.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet drejt lindjes.

Perëndimi ka ndërmarrë një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe diplomatik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rusia ka thënë se mund të ndalojë operacionet në “çdo…