Ministri i Kurtit kërkon zbatimin e asociacionit
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk mund të anulohen.
Ai nga Graçanica ka thënë se qeveria aktuale që drejtohet nga Albin Kurti nuk mund t’i anulojë marrëveshjet e arritura para bashkësisë ndërkombëtare, kjo duke iu referuar Asociacionit të komunave me shumicë serbe, raporton “EO”.
Sipas tij, i mbetet ekzekutivit të gjejë format për zbatimin e marrëveshjes, përderisa ka kërkuar që të ketë tolerancën nga të gjithë që të hartohet drafti i asociacionit.
Ai ka thënë se ka mundësi ligjore për kthimin e serbëve në vendet e tyre të punës në veri, sidomos stafi administrativ.
“Unë jam për respektim të gjitha marrëveshje që i kemi bërë para bashkësisë ndërkombëtare. Nuk mund ta anulohet ato marrëveshje që janë bërë në mandatin paraprak, tek ju mbetet formati që do ta paraqisni. Për mua kjo është bazë e mirë. Vetëm na duhet një tolerancë nga të gjithë dhe do të mund ta krijojmë bile një draft çka mund të jetë asociacioni i komunave”, ka thënë Rashiqi.
Më tutje, Rashiqi ka thënë se serbët në veri të Kosovës kanë qenë të dirigjuara nga Beogradi, teksa udhëheqësit e kësaj të fundit i quan regjim.
“Ka qenë një manovër e organeve të Listës Serbe, të përkrahur nga regjimi i Beogradit, dhe unë nuk e shoh se kanë vepruar drejtë. Unë konsideroj se kanë gabuar dhe në atë pjesë të vendit janë humbur 1 mijë vende të punës. Kanë gabuar ata që kanë dhënë këso rekomandime”, është shprehur Rashiqi.