Ministri i Kurtit thotë se procedurat për blerjen e raketave ‘Javelin’ filluan në kohën e qeverisë Haradinaj
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka treguar se kur Kosova ka filluar procedurat për blerjen e raketave “Javelin”.
Në një intervistë për “Tëvë1”, ai ka thënë se ky proces ka filluar vite me parë kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj i kishte nisur një letër Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh).
Më tutje, ai ka treguar se në vitin 2019 janë identifikuar nevojat operacionale për FSK-në.
“Qysh në vitin 2019, janë identifikuar nevojat operacionale të FSK-së. Kodi FMS është hapur gjatë qeverisë Kurti 1, më saktësisht në prill të vitit 2020, por është iniciuar më herët me një letër që është dërguar nga ish-kryeministri Haradinaj për Departamentin e Shtetit edhe pas hapjes së kodit në prill të vitit 2020 janë adresuar kërkesat jo vetëm për sistemin ‘Javelin’, por për të gjitha sistemet tjera dhe e gjitha ka kulmuar në këtë tre vjeçar me buxhet shtesë. E gjithë rritja e blerjeve ushtarake është në këto tri vjet”, ka thënë Maqedonci.
Pasi ShBA-ja kishte pranuar kërkesën e Kosovës për t’u pajisur me këto raketa, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kishte kritikuar qeverinë Kurti për vonesa në këtë proces.
Haradinaj kishte bërë me dije se qysh në vitin 2018, në planin 10-vjeçar të zhvillimit të Ushtrisë së Kosovës, kishin qenë të dakorduara blerjet e sistemeve anti-tank, përfshirë edhe raketat “Javelin”.
Statusi i Haradinajt kishte nxitur reagimin e shumë deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.