Ministri i Mbrojtjes dhe komandanti i FSK-së bëjnë homazhe në Prekaz
Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, të shoqëruar nga zëvendësministrat Burim Ramadani dhe Agim Çeku, sekretari i Përgjithshëm Shkëlzen Sylaj, gjeneralë, oficerë të FSK-së, si dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë, sot bënë homazhe tek varri i komandantit legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari, për nder të “Epopesë së UÇK-së”.
“Ky përvjetor është më i veçantë, pasi që festohet bashkë me ushtrinë e Kosovës. Jemi këtu për të nderuar të gjithë ata që vlerësuan se liria e vendit është më e shenjtë se sa jeta e tyre, e familjes së tyre. E veçanta e këtij përvjetori është se ne kësaj radhe vijmë me një mandat të ri, me një mision të ri, vijmë si Ministri e Mbrojtjes dhe me mandat ushtarak, që ishte edhe synimi i këtyre, që sot i kujtojmë”, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha.
Pas homazheve tek varrezat, delegacioni i Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, u prit edhe në Kullën e Jasharajve nga kryefamiljari Rifat Jashari.
/Epoka e re/