Ministri i Mbrojtjes dhuron gjak
Aksionit për dhurimin vullnetar të gjakut, sot në tendën e improvizuar, në sheshin “Nënë Tereza” iu bashkua ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili me një pjesë të stafit të tij, dhuroi gjak në kuadër të fushatës tradicionale të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.
Ky aksion zhvillohet në kuadër të shënimit të 14 qershorit – Dita Botërore e dhurimit të gjakut.
Me këtë rast, ministri Mehaj, i shoqëruar edhe nga zëvendësministri Syla dhe drejtoresha e QKTGJ-së, dr. Bukurie Zhubi, vlerësoi lartë iniciativën përkatëse duke theksuar se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-së, sikur në kuadër të detyrimit ligjor për mbështetje ushtarake të autoriteteve civile, gjithashtu edhe në forma të organizimit vullnetar, është gjithherë e gatshme të ofrojë mbështetjen dhe ndihmën e nevojshme në shërbim të institucioneve dhe qytetarëve tanë.
Zhubi e vlerësoi lartë vullnetin e ministrit Mehaj, duke theksuar se ndër kontributorët më të mëdhenj në vend, në dhurimin vullnetar të gjakut, janë zyrtarët dhe ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së të cilët realizojnë dhurimin periodik të organizuar dy herë brenda vitit, krahas dhurimeve individuale e grupore në raste të shumta.
Dita Botërore e dhurimit të gjakut është ditë që u kushtohet dhuruesve të gjakut për hir të sakrificës që ata bëjnë si dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për të pasur sa më tepër dhurues vullnetarë të gjakut.