Ministri i Mbrojtjes i jep mbështetje Programit Nacional për Rininë
Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, është pritur në takim nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Rrustem Berisha.
Hoti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Azem Guri, si dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Morina-Bunjaku, ka prezantuar para Berishës Programin Nacional për Rininë si dhe biseduan për mundësitë e bashkëpunimit gjatë implementimit të tij nëpër shkolla.
“Programi Nacional për Rininë është hartuar për secilin nxënës të secilës shkollës, duke filluar nga niveli fillor, i mesëm i ulët dhe niveli i mesëm i lartë. Është i veçantë sepse nuk e përjashton askënd nga gara dhe mundësia për t’u dalluar dhe për të dalë më i miri”, ka thënë Hoti
Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, e ka mirëpritur zbatimin e programit nëpër shkolla duke thënë se janë në mbështetje të projekteve në të mirë të të rinjve.
“Unë ju falënderoj që ministrinë tonë e keni vlerësuar si partner të rëndësishëm për bashkëpunim. Ne do të ju mbështesim me të gjitha mundësitë aty ku ju keni nevojë për të ndihmuar në zbatimin e këtij misioni shumë të qëlluar sepse arma më e fortë e një shteti është arsimi”, ka theksuar Berisha.
Në anën tjetër, zëvendësministrja Morina-Bunjaku dhe zëvendësministri Guri, kanë theksuar se ministritë që ata përfaqësojnë e mbështesin koordinatorin Hoti për implementimin e Programit Nacional për Rininë.
/Epoka e re/