Ministri i Mbrojtjes, Mehaj: Zgjerimi i NATO-s është antidoda për të siguruar stabilitet
Në një takim virtual me Komisionin e Përgjithshëm për Drejtësinë, Çështjet e Brendshme dhe Sigurinë e shteteve të Evropës Jug-lindore në Procesin e Bashkëpunimit ndërmjet këtyre shteteve, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka diskutuar mbi disa tema të rëndësishme të nxitura nga situata aktuale gjeopolitike dhe pushtimi i paprovokuar rus në Ukrainë.
Tema të cilat në mënyrë direkte kanë ndikuar në strategjitë e shteteve dhe format e bashkëpunimit, domosdoshmërinë e unitetit si formë e vetme e mbrojtjes së vlerave demokratike përballë shteteve autokrate me tendenca ekspanzioniste.
“Duke qenë dëshmitar të sulmeve të vazhdueshme ruse në Ukrainë dhe luftës hibride ruse me target Ballkanin, zgjerimi i NATO-s është antidoda për të siguruar stabilitet, që së bashku me investimet strategjike në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit të gjithëmbarshëm ekonomik, do të mundësoj zgjidhjen dhe të krizës së refugjatëve e ruajtjen e paqes ndërmjet kombeve. Në këtë aspekt Kosova mbetet e përkushtuar në përkrahjen e politikave perëndimore, aleancës ndërmjet shteteve, dhe mbështetjen e partnerëve tanë strategjik”, ka thënë Mehaj.