Ministri i Mbrojtjes: Periudhës së shantazheve dhe kërcënimit i ka ardhur fundi

11 dhjetor 2022 | 16:14

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka reaguar pas deklaratave të zyrtarëve serb, për “kërkesën” e tyre për rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

“I vetmi zhvillim i Serbisë këto 23 vite është përditësimi i politikës së Millosheviqit me metodat ruse të luftës hibride! Deklaratat e Vuçiq dhe Bërnabiq, me tentim destabilizimin e veriut të Republikës së Kosovës janë plotësisht të papranueshme. Periudhës së shantazheve, kërcënimit, i ka ardhur fundi”, ka shkruar Mehaj në “Facebook”.

Mehaj ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës, të gjitha autoritetet dhe institucionet e sigurisë, do të zbatojnë dhe marrim veprime në përputhje me ligjshmërinë, kushtetueshmërinë dhe obligimin që e kemi ndaj qytetarëve tanë pa dallim etnie.

“Në Republikën e Kosovës nuk do të lejohet më veprimi i grupeve kriminale serbe që udhëhiqen nga Beogradi, e asnjë formë e ilegalitetit që pengon integrimin e komunitetit serb në veri të vendit, dhe që ka për qëllim sabotimin e institucioneve”,.

“Dorëheqjet e pjesëtarëve të komunitetit serb nga Policia e Republikës së Kosovës si dhe deklaratat e autoriteteve serbe për dërgimin e trupave ushtarake brenda territorit të Republikës së Kosovës, flasin shumë për një mendësi që vazhdon të funksionoj bazuar në politikën Millosheviqiane e edhe ruse, që do kaosin e edhe luftën, por që është fantazi e një mendjeje të sëmurë, e parealizueshme në realitetin e çdo shteti që është ndërtuar mbi bazën e vlerave demokratike evropiane dhe vullnetin e popullit”, ka deklaruar Mehaj.

Ai ka thënë se tendencat serbe të Rusisë së Ballkanit nuk kanë vend në shtetin tonë. “Nuk do të ndodhin ngase nuk do të lejohen asnjëherë”, është shprehur Mehaj.

Ministri Mehaj ka shtuar se Shteti i Republikës së Kosovës në gjithë gjatësinë kufitare dhe tërësinë territoriale ka burra e gra, pjesëtarë të Policisë e të Ushtrisë, që i dalin për zot në çdo kohë, që e duan atdheun e mbrojnë qytetarët e vet.

“Mendësia destabilizuese ruse nuk ka vend në Ballkanin evropian proamerikan që në lëkurën e vet ka përjetuar mjaftueshëm trazira sa për t’i njohur dhe mos t’i lejuar më. Në koordinim me aleatët tanë jemi për paqe dhe dialog, aq sa jemi të vendosur për mbrojtje dhe siguri. Republika e Kosovës synon të ardhme demokratike dhe prosperuese si pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, çdo përshkrim tjetër nuk përkon me realitetin tonë si shtet”, ka thënë Mehaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shprehur shqetësimin e thellë…