Ministri i Mbrojtjes pret në takim ambasadorin e Çekisë, diskutojnë për situatën e sigurisë
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur të enjten në takim njoftues ambasadorin e Republikës së Çekisë në Kosovë, Bohumil Mazanek, të cilit i uroi mirëseardhje dhe e falënderoi për mbështetjen e Republikës së Çekisë nëpër të gjitha proceset e shtetndërtimit si edhe kontributin e dhënë në kuadër të misionit të NATO-s.
Në takim u bisedua lidhur me situatën momentale të sigurisë në vend dhe përkrahjen e shtetit të Çekisë në rrugën drejt Partneritetit për Paqe dhe iniciativave tjera, ku ministri Maqedonci theksoi se kjo është e vetmja mënyrë që garanton paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon.
Gjithashtu, u bisedua për rritjen e mëtejme të bashkëpunimit në mes të dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe mundësinë e nënshkrimit të Marrëveshjes për Bashkëpunim në mes të ministrive të mbrojtjes të të dyja vendeve, e cila do t’i hapte rrugë këtij bashkëpunimi.
Nga ana e tij, ambasadori çek, Mazanek, shprehu kënaqësinë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe theksoi se vendi i tij do të vazhdojë fuqishëm të mbështesë Republikën e Kosovës në rrugën drejt integrimit euro-atlantik.