Ministri i Mbrojtjes priti në takim ish-presidentin Sejdiu
Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ka pritur të enjten në takim ish-presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Në takim ishin të pranishëm edhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe shefi i kabinetit të ministrit, Jashar Ramadani.
Ministri Berisha së pari e falënderoi ish-presidentin Sejdiu për vizitën dhe për kontributin e tij në rrugëtimin e shtetit të Kosovës, e në veçanti të FSK-së, dhe më pas e njoftoi me zhvillimet e përgjithshme në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-së, si tranzicionin e FSK-së në ushtri dhe zyrtarizmin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndërsa, ish-presidenti Sejdiu, pasi e falënderoi ministrin Berisha për pritjen, ai njëherësh uroi ministrin dhe komandantin e FSK-së, gjeneral Ramën, për zyrtarizimin e ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, duke ju dëshiruar zhvillim të shpejtë në ngritjen e kapaciteteve ushtarake, siç u shpreh ai, si element kryesor i konstituimit të shtetësisë së Kosovës.
Ish-presidenti Sejdiu vazhdoi vizitën e tij edhe në kazermën “Adem Jashari” të Forcës së Sigurisë të Kosovës.
/Epoka e re/