Ministri i Mbrojtjes udhëton për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar

13 shtator 2021 | 17:30

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë me dije se sot, me ftesë zyrtare, ka udhëtuar për vizitë treditore në Mbretërinë e Bashkuar.

“Gjatë kësaj vizite, do të pritem nga Ministrja e Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Baronesha Goldie DL, me të cilën së bashku do të nënshkruajmë Memorandumin e Bashkëpunimit Bilateral të Mbrojtjes”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai gjithashtu do të takohet me autoritetet më të larta në Drejtorinë e Politikave të Mbrojtjes të Ballkanit Perëndimor në Mbretërinë e Bashkuar dhe Drejtorinë e Integrimit Euro-Atlantik.

“Pastaj do të vizitojë edhe Qendrën e Luftërave Tokësore, Qendrën e Trajnimit Taktik të Komandës dhe Shtabit, Shkollën e Armëve të Specializuara, Divizionin e Zbulimit dhe Taktikave, Qendrën e Koleksionit të Armëve të Këmbësorisë, ndër të cilat përveç takimeve me autoritetet udhëheqëse do të takoj edhe kadetët dhe oficerët tanë që janë aktualisht duke u trajnuar në këto qendra. Përkundër agjendës së ngjeshur, do të takoj edhe përfaqësuesit e diasporës sonë dhe stafit diplomatik në Mbretërinë e Bashkuar”.

“Vizita në Mbretërinë e Bashkuar, është shumë e rëndësishme në procesin e ngritjes së aftësive dhe kapaciteteve operacionale ushtarake të FSK-së dhe dëshmon fuqishëm partneritetin shumë të fortë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar që do të intensifikohet edhe më shumë me Memorandumin e ri. Së bashku më të fortë!”, ka shkruar ministri Mehaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovë, Viola von Cramon, ka…