Ministri i Mbrojtjes viziton familjen e Abejës: Gjenerali ynë i pavdekshëm
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka vizituar familjen e heroit Bekim Berisha-Abeja.
Mehaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se ishte i nderuar ta vizitojë familjen e Abejës, ku u prit nga motra e tij, Zyrafete Berisha.
“Qershori është muaji kur para 55 vjetësh në Grabovcin e burrave të besës e nderit të Kombit, u lind Gjeneral Bekim Berisha –Abeja. Sot isha shumë i nderuar, të jem në familjen e tij, ku prita me zemër të madhe nga e motra, zonja Zyrafete Berisha dhe familja e saj në shtëpinë e strategut të jashtëzakonshëm të luftës, Heroit tonë unik, komandant Abejës”, ka shkruar ministri Mehaj.
Ai ka theksuar se gjenerali ynë me veprat dhe luftën heroike deri në flijim, na dha emër e nam të madh kudo në botë te popujt liridashës.
“Me nderime pranë varrit të tij, me përkuljen dhe kujtimin për të, na përtërihet forca dhe ndriçohet rruga jonë përpara, drejtë realizimit të idealeve të tij dhe të gjithë dëshmorëve tjerë. Lavdi e përjetshme Gjenerali ynë i pavdekshëm!”, ka shkruar Mehaj.