Ministri i Mbrojtjes viziton udhëheqësit e UÇK-së në Hagë

16 nëntor 2022 | 14:38

Gjatë qëndrimit në Holandë, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka vizituar në Hagë udhëheqësit e UÇK-së, të cilët po mbahen të paraburgosur në Gjykatën Special.

“Kam takuar të paraburgosurit e Gjykatës Speciale të cilët janë padrejtësisht duke u gjykuar në Hagë. Kam takuar Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën, ndërsa kam biseduar shkurt edhe me, Hysni Gucatin i cili është duke u përballur me probleme shëndetësore”, ka shkruar Mehaj në “Facebook”.

Ai ka treguar që në takimet që ka realizuar me secilin, i ka njoftuar me zhvillimet në vend, në fokus zhvillimet në Ministrinë e Mbrojtjes përkatësisht Ushtrinë e Republikës së Kosovës, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, bashkëpunimin me partnerët, rekrutimet, synimin për anëtarësim në PfP dhe NATO, të cilat sipas ministrit Mehaj, janë në funksion të plotë të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së gjithë territorit të Republikës sonë.

“Të gjithë me moral të lartë e të fortë ashtu siç ka qenë ushtria e popullit tonë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ne besojmë pa asnjë hamendësim në pafajësinë e të gjithëve dhe në pastërtinë e luftës tonë çlirimtare. Gjithashtu, ndajmë bindjen e thellë që gjykimi i tyre është i padrejtë. Ne do te jemi gjithnjë krenar me luftën e UÇK-së, ka qenë UÇK-ja ajo që na ka bërë bashkë për të fituar lirinë tonë, në këtë pikë do të mbetemi përherë bashkë dhe kjo do të mbetet e pandryshuar përgjithmonë. Uroj që të gjithë të lirohen sa më shpejt. Ditët e së ardhmes së Republikës sonë qofshin sikur pikturat e Rexhës – sa të bukura aq përmbajtjesore. Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të dalë sërish fitimtare”, ka shkruar Mehaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel në mes të Kosovës dhe…