Ministri i MPB-së: Në 2018 janë ndërmarrë 70 masa për zbatimin e MSA-së
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Ekrem Mustafa, ka raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane lidhur me raportin zbatimin e Programit kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).
Mustafa ka thënë se ministria që ai drejton ka ndërmarrë një sërë masash në zbatimin e Reformave të Agjendës Evropiane.
“Gjatë vitit 2018 janë marrë 70 masa në kuadër të Planit kombëtar për zbatimin e MSA-së”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka theksuar se MPB-ja është e angazhuar për zbatimin e këtij plani të hartuar vitin e kaluar, i cili ka të bëjë me çështjet e migracionit dhe integrimin e personave të riatdhesuar në shoqërinë kosovare.
Ndërsa, kryetarja e komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se Kosova ka bërë pak në luftën kundër ekstremizmit, korrupsionit, shpëlarjes së parave dhe kundër narkotikëve.