Ministri i ri i Shëndetësisë nga Lista Guxo? Flet Faton Peci

10 nëntor 2021 | 13:04

Ministri i Bujqësisë dhe zyrtari i Listës Guxo, Faton Peci, ka bërë me dije se do të flasin me kryeministrin Albin Kurti lidhur me emrin e ministrit të ri të Shëndetësisë.

Në një konferencë për media ku ka folur për Projektligjin për bujqësi dhe zhvillim rural, i cili është miratuar paraprakisht në mbledhjen e qeverisë, Peci është pyetur nëse ministri i Shëndetësisë do të jetë nga Lista Guxo.

Ai ka thënë se nuk mund të flasë për emrin.

“Tash unë këtu kam dalë për të diskutuar për zhvillimet e fundit në sektorin e bujqësisë. Se cili do të jetë emri i ri i ministrit të Shëndetësisë do ta vendos kryeministri. Ne si partner i qeverisë normalisht që do ta kemi pjesën e konsultave, por nuk mund të flas se cili do të jetë ministri i Shëndetësisë”, ka thënë Peci, duke shtuar se kryeministri do të flasë me të gjithë partnerët e koalicionit për të vendosur më pas lidhur me këtë çështje.

“Është çështje e kryeministrit, në diskrecionin e tij. Ai me siguri që do t’i bëjë të gjitha veprimet ose konsultat paraprake me të gjithë akterët relevantë edhe në Vetëvendosje, edhe në Listën Guxo, edhe në partnerët tjerë të koalicionit”, ka thënë Peci.

Ish-ministri, Arben Vitia, i cili tash është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, ka thënë se nuk do të kthehet në Ministrinë e Shëndetësisë në rast se nuk do t’i fitojë zgjedhjet.

Raundi i dytë i garës për kryetar të Prishtinës mbahet më 14 nëntor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ka marr vendim të mërkurën për ndarjen…