Ministri i Serbisë: S’ka ndryshim të qëndrimit për Kosovën në Interpol
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë se që nga Asambleja e Përgjithshme e Interpolit, vitin e kaluar në Dubai ku është kundërshtuar kërkesa e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, nuk ka pasur asnjë zhvillim që do të sillte ndryshimi të atij vendimi.
Siç është thënë në komunikatën e kësaj ministrie, të cilën e ka transmetuar Shërbimi i Ballkanit i “Radios Evropa e Lirë”, Stefanoviqi ka thënë se pranimi eventual i Kosovës në Interpol do të krijonte mundësinë që informacionet konfidenciale “të binin në duart e kriminelëve dhe terroristëve”.
Sipas kësaj komunikate, Stefanoviqi këto komente i ka bërë në takim me ambasadorin e Venezuelës në Beograd, Dimas Jesus Alvarenga Guerra.
Nga ana e tij, ambasadori Guerra ka theksuar se Venezuela respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë.
Më 20 nëntor të vitit 2018, Kosova nuk ka arritur të anëtarësohet në Interpol, pasi nuk kishte marrë shumicën e nevojshme prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate.
Tentativat e Kosovës për anëtarësim në Interpol kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga institucionet e Kosovës.