Ministri i Shëndetësisë: Nuk do të ketë masa lehtësuese për fundvit
Nuk do të ketë masa lehtësuese kundër Covid-19 gjatë fundvitit. Kështu ka bërë me dije ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Zemaj ka thënë se nuk do të ketë zgjatje të orarit pavarësisht se disa komuna kanë lëvizur pozitivisht dhe nuk janë më në zonë të rrezikshmërisë.
Më tutje, ai ka thënë se po tentohet të sigurohen 1.2 milion vaksina anti-Covid.
“Duhet të jemi të sinqertë. Ne bëjmë vlerësime javore, rritja e virusit në vendet perëndimore dhe ato të rajonit është shqetësuese dhe po ashtu edhe numri i vdekjeve. Do të ndërmarrim masa kufizuese. Me datën 18 përfundon edhe pjesa e parë e vitit shkollor dhe do të shohim se në cila segmente tjera mund të arrijmë që ta parandalojmë grumbullimin krahas masave që kemi fuqi. E them edhe sot, nuk do të ketë lehtësim të masave, do të ketë disa kufizime. Nuk do të ketë as zgjatje të orarit pavarësisht që disa komune kanë lëvizur pozitivisht, kanë kaluar nga zona e rrezikshmërisë”, ka thënë Zemaj në emisionin e mëngjesit në “RTK”.