Ministri Ismaili: Do të jemi pranë nënave dhe fëmijëve edhe përmes vizitave në shtëpi
Në Gjilan është mbajtur takimi i rregullt i infermiereve të cilat realizojnë vizitat në shtëpi për nëna dhe fëmijë.
Qëllimi i këtij takimi ishte shkëmbimi i përvojave dhe praktikave infermierike gjatë vizitave në shtëpi si dhe monitorimi i rezultateve të arritura gjatë periudhës janar-shtator 2018.
Në këtë takim pjesëmarrës ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.
Ai ka thënë se që nga fillimi i mandatit të tij ky projekt ka qenë një ndër të cilët e ka bindur se duhet të përkrahet dhe të rritet edhe më tutje.
“Unë do të jem i gatshëm që të ofroj gjithë mbështetjen time që këto vizita në shtëpi për nëna dhe fëmijë të zhvillohen dhe të rriten akoma. Nënat dhe fëmijët nuk kanë askënd më shumë sesa ju. Prandaj, ne e vlerësojmë punën e palodhshme që ju e bëni dhe ndihmën që ua bëni nënave dhe fëmijëve, dhe kërkojmë nga ju që të mbani dinamikën për të ofruar këto shërbime”, ka deklaruar ministri Ismaili.
Ai i ka siguruar infermierët dhe koordinatoret e vizitave në shtëpi se nuk do të jenë vetëm në ofrimin e këtyre shërbimeve.
Më tutje, ministri Ismaili ka thënë se do të diskutojë edhe me kryetarët e komunave që këto vizita të mos lejohet të bien në numër, por të rriten edhe në vëllim dhe cilësi.
“Unë do t’u shkruaj edhe kryetarëve të komunave për ofruar mbështetjen e këtij projekti. Mos e lejoni që të dështojë ky projekt, sepse nënat dhe fëmijët kanë nevojë për ju. E pranë jush do të jemi ne”, është shprehur ai.
Gjatë këtij viti janë realizuar 7936 vizita në shtëpi. Këto vizita aktualisht zhvillohen në 14 komuna, Prizren, Dragash, Gjakovë, Fushë-Kosovë, Lipjan, Obiliq, Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj, Viti, Shtime, Dardanë, Kacanik dhe Hani i Elezit.
Deri në fund të vitit 2018 nga këto vizita pritet të përfitojnë edhe Drenasi, Vushtrria dhe Skenderaj.
/Epoka e re/