Ministri Ismaili dorëzon pajisje mjekësore për QKMF-në e Lipjanit
Ministri i Shëndetësisë (MSh), Uran Ismaili, se bashku me përfaqësuesit e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) kanë dorëzuar 15 pajisje bazike mjekësore për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) të Lipjanit.
“Qytetarët e Lipjanit tash e tutje do të mund të bëjnë matjen e sheqerit në mënyrë të avancuar, kontrollin e zemrës me EKG 12-kanalëshe dhe operime të ndryshme të vogla në Qendrën e Mjekësisë Familjare. Sot, bashkë me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dorëzuam setin e fundit me 15 pajisje bazike mjekësore”.
“Të njëjtat shërbime mund t’i bëjnë edhe qytetarët e 12 komunave tjera të Kosovës, të cilat kanë përfituar ndihmën e njëjtë me pajisje të ndryshme, që kapin shumën e 400 mijë eurove. Kujdesi primar shëndetësor është dera e parë në të cilën qytetarët tanë trokasin për ndihmë, andaj investimet tona do të shtohen edhe më tej për t’i avancuar shërbimet nëpër komuna”, ka shkruar Ismaili në llogarinë e vet në “Facebook”.