Ministri Ismaili: Është stabilizuar furnizimi me barna
Ministri i Shëndetësisë (MSh), Uran Ismaili, ka raportuar të mërkurën para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës.
Ismaili ka bërë me dije se është përmirësuar furnizimi me barna.
Po ashtu ai ka thënë se është rritur edhe stabilizimi i gjendjes së përgjithshme në sistemin shëndetësor.
“Në fund të vitit 2017, 70 për qind e barnave kanë qenë pa kontratë. Sot kemi 65 për qind të barnave me kontrata, 24 për qind janë në procedurë, dhe tërësisht një situatë tjetër në sektorin shëndetësor”, ka thënë Ismaili.
Ministri Ismaili ka thënë se tani janë marrë të gjitha masat që furnizimi të stabilizohet dhe të ndërpritet ky avaz i vjetër i keqmenaxhimit.
“Konsideroj se sot mund të jemi të gjithë më krenar për faktin se kemi arritur një model të ri të qeverisjes në Ministri të Shëndetësisë. Edhe kemi ndërprerë një avaz të vjetër të keqmenaxhimit edhe kemi më shumë furnizim me barna. Madje, edhe po kursejmë buxhetin e shtetit. Vetëm në 30 produkte kemi kursyer rreth 1 milion euro të buxhetit me metodat e reja të blerjes së barnave”, ka thënë ai.
Ismaili ka treguar se gjatë një jave në muajin qershor janë nënshkruar rreth 50 kontrata të reja për furnizim me barna.
“Aktualisht kemi hyrë në fazën e fundit të nënshkrimit të të gjitha kontratave për barna dhe material shpenzues, të cilat shumica janë kontraktuar me çmime më të lira se sa kontratat paraprake”, është shprehur Ismaili.