Ministri Ismaili kërkon disiplinë nga drejtorët e klinikave të QKUK-së
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka takuar drejtorët e klinikave, instituteve dhe shërbimeve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nga të cilët ka kërkuar shtim të kujdesit dhe komunikimit ndaj pacientëve.
“Duhet të shtohet kujdesi dhe komunikimi më i mirë i stafit ndaj pacientëve. Kërkoj nga ana juaj të merrni përgjegjësi dhe zotësi. Kemi shprehë vullnet dhe gatishmëri, kërkoj më shumë zotësi nga ana juaj. Jam aleat i juve, do të punoj me juve, kemi hapësirë, intelekt dhe pjekuri që të punojmë bashkërisht”, ka thënë Ismaili.
Ai ka folur edhe për investimet që janë bërë dhe që janë në procedurë të realizimit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, përfshirë furnizimin me shtretër të ri, uniforma dhe çarçafë për klinikat e QKUK-së.
Po ashtu, Ismaili ka përmendur renovimin e emergjencës së vjetër dhe furnizimi me pajisje për këtë klinikë.
Sipas tij është duke u punuar të krijohen barnatoret nëpër repartet dhe klinikat e QKUK-së, në mënyrë që furnizimi të jetë më i mirë dhe të ketë mbikëqyrje më të mirë.
Më tutje, ministri Ismaili ka thënë se është duke u punuar në çështjen e brendimit, ku përfshihen informatat e përgjithshme me shenjat orientuese për klinikat dhe shërbimet që ofrohen.
Gjatë këtij takimi Ismaili ka dëgjuar kërkesat e drejtorëve të klinikave për nevojën që kanë klinikat për investime, duke premtuar se do të angazhohet maksimalisht që investimet të jetësohen.
Ndërsa prof. dr. Naser Ramadani, kryesues i Bordit të SHSKUK-së, ka thënë se ky bord në mbledhjet e rregullta ka filluar të ftojë për raportim edhe drejtorët e klinikave, me qëllim që për së afërmi të njoftohet me gjendjen, me theks të veçantë të punohet për reduktim të listës së pritjes së pacientëve.
“Ne kemi kuadro të mjaftueshëm që mos ketë listë pritjes në asnjë klinikë. Andaj po angazhohemi që të krijojmë kushtet e nevojshme në mënyrë që specialistët të kryejnë punën e tyre dhe bashkërisht të kryejmë obligimin etik-moral dhe ligjor”, ka thënë Ramadani.
Në anën tjetër, Basri Sejdiu, drejtor i Përgjithshëm i SHSKUK-së, ka informuar drejtorët e klinikave se ambulancat specialistike të ortopedisë dhe fiziatrisë kanë filluar punën në objektin e ri me kushte dhe infrastrukturë moderne dhe shpejtë pritet të fillojnë punën edhe ambulancat tjera.
“Jemi duke punuar të rrisim numrin e sallave të operacionet për kirurgji vaskulare, neurokirurgji dhe kirurgji plastike. Projekti i renovimit të emergjencës së vjetër është duke u finalizuar, do ketë recepsion, do mbyllen portat do ketë recepsione dhe pritore për pacientët. Hapësira në klinikat interne dhe emergjencë do jetë bllok i mbyllur nuk do ketë qasje të palëve”, është shprehur Sejdiu
Ai ka thënë se janë në rrugë të drejt për përmirësim infrastrukturës dhe transformimit të shërbimit farmaceutik në klinika.
Drejtori Sejdiu ka folur edhe për disiplinën në punë, duke theksuar se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme konform kompetencave që ka duke kërkuar nga drejtorët e klinikave që të respektohet orari i punës.
/Epoka e re/