Ministri Ismaili: Në vetëm një bari për kancer shpëtuam 577 mijë euro
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka vazhduar me publikimin e dëshmive rreth abuzimit të çmimeve me barna në kuadër të javës antikorrupsion.
Sot, ministri Ismaili në llogarinë e vet në “Facebook”, ka publikuar të dhënat e kontratave të Imatinibit, barit që përdoret nga të sëmurët me kancer dhe leukemi.
Sipas tij, ky bari më herët ishte blerë me 32 euro një tabletë, apo kontrata vjetore prej 652 mijë euro.
Kurse këtë vit, i njëjti bari e njëjta sasi, janë blerë me 3.69 euro një tablet, apo 75 mijë euro kontrata e përgjithshme një vjeçare.
“1 në 6 vdekje në botë ndodhë prej sëmundjes së kancerit. Për shkak të korrupsionit barnat kundër kancerit tek ne janë blerë shumëfish më shtrenjtë. Imatinibi, më herët është blerë për 652 mijë euro, ndërsa sasinë e njëjtë këtë vi ne e kemi blerë për 75 mijë euro. Në vetëm një kontratë ne kemi shpëtuar 577 mijë euro. Në total, për barnat kundër ne kemi shpëtuar rreth 1 milion euro. Barna më shumë, çmime më të lira”, ka shkruar ministri Ismaili.
Përndryshe, ministri Ismaili dje ka nisur publikimin e dëshmive për çmime abuzive në blerjen e barnave që kanë ndodhur viteve të kaluara.
Ai ka treguar se vetëm gjatë vitit 2018 janë blerë 6 milionë euro më lirë barna sesa vitet paraprake për të njëjtat sasi.