Ministri Ismaili nënshkruan katër udhërrëfyes klinikë
Ministri i Shëndetësisë (MSh), Uran Ismaili, ka nënshkruar të hënën katër udhërrëfyes klinikë në lëmitë e shëndetit riprodhues, publik dhe parësor.
Ai ka thënë se nëpërmjet këtyre udhërrëfyesve do të bëjnë standardizimin dhe unifikimin e trajtimit të pacientëve për sëmundje të ndryshme nëpër klinikat dhe spitalet tona.
“Qytetarët tanë duhet të trajtohen njësoj profesionalisht nëpër të gjitha klinikat dhe spitalet që kemi në vend. Për ta avancuar këtë praktikë, sot kam nënshkruar edhe katër udhërrëfyesit tjerë klinikë në lëmitë e shëndetit riprodhues, shëndetit publik dhe kujdesit parësor. Përmes tyre, ne do të bëjmë standardizimin dhe unifikimin e trajtimit të pacientëve për sëmundje të ndryshme nëpër klinikat dhe spitalet tona në tërë vendin.
“Bashkë me dy udhërrëfyesit që kemi miratuar ditë më parë, këta janë gjashtë udhërrëfyesit e parë nacionalë për profesionistët tanë shëndetësorë. Pres nga të gjithë profesionistët shëndetësorë, te të cilët gjejnë zbatueshmëri këto dokumente, t’i shfrytëzojnë ato në punën e tyre të përditshme profesionale”, ka shkruar Ismaili në llogarinë e vet në “Facebook”.