Ministri Ismaili: Po marrin fund pritjet e gjata dhe shërbimet jocilësore
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka bërë me dije se pritjet e gjata të qytetarëve dhe shërbimet në kushte jo të favorshme për ta, shumë shpejt pritet të marrin fund në QKUK.
“Qytetarët tanë për shumë vite kanë pritur nëpër bodrumet e QKUK-së dhe në kushte aspak të favorshme për të marrë shërbime cilësore. Këto pritje të gjata, të mundimshme dhe aspak të shëndetshme shumë shpejt do të marrin fund. Investimi, që po e bëjmë në ambulancat e reja specialistike, do të mundësojë që qytetarët t’i marrin shërbimet e tyre në një objekt modern, në kohë dhe të pajisur me gjithë infrastrukturën e nevojshme mjekësore, përfshirë edhe laboratorët. Ata meritojnë kushte më të mira për trajtime dhe gjatë këtij mandati, ofrimi i këtyre kushteve do të jetë përkushtimi im”, ka shkruar Ismaili në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/