Ministri Ismaili takon ambasadorin Kosnett, flasin për situatën në shëndetësi
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka pritur të martën në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Philip Kosnett.
Ai ka treguar se me ambasadorin amerikan ka diskutuar për situatën aktuale politike, si dhe e ka njoftuar për luftën kundër korrupsionit që është bërë në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë vitit 2018.
Ismaili ka thënë se Kosova i është mirënjohëse ShBA-ve për përkrahjen e pa rezervë në secilin hap të shtetndërtimit.
“Kënaqësi ta pres ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett të cilit i urova mirëseardhje në Kosovë. Me ambasadorin Kosnett diskutuam për situatën aktuale politike, si dhe e njoftova për luftën e madhe kundër korrupsionit që kemi bërë në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë vitit 2018, duke ndalur çmimet e fryra të barnave. Kosova i është mirënjohëse ShBA-së për përkrahjen e pa rezervë në secilin hap të shtetndërtimit dhe gatishmërinë e saj për të qenë aleate e jona edhe në reformat për shëndetësi”, ka shkruar Ismaili në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/