Ministri Ismaili: Do të ketë rritje të pagave për punëtorët e shëndetësisë
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka njoftuar se do të ketë rritje të pagave për punëtorët e shëndetësisë.
Ismaili ka premtuar se do të bëhet kategorizim i rrogave dhe ata do të marrin rroga të dinjitetshme.
“Shëndetësia disi nuk e ka marrë atë rolin të cilin është dashur ta marr. Tani jemi duke udhëhequr për ta bërë një realitet të ri. Ne kemi marrë një vendim për kategorizimin e pagave dhe punëtorët do të kenë rritje të pagave. Pagat të cilët i marrin punëtorët sot nuk janë dinjitoze”, ka thënë Ismaili.
“Jam i vendos që të kemi paga që reflektojnë shkollimin e tyre dhe punët që ata i bëjnë. Ata kanë mbetur prapa shumë me pagesë. Është e papranueshme që punëtori i shëndetësisë të paguhet në formën që paguhet sot, por greva nuk është forma e duhur”.
“Unë kam diskutuar me të gjithë dhe të gjithë janë të pajtimit se paga është prioritet në këtë sektor. Do të bëjmë një kategorizim të pagesës së tyre, pasi kjo pagesë nuk është dinjitoze për ta”.
“Por, duhet të lejuar që të mbërrimë deri në rishikim të buxhetit pasi kjo na jep hapësirë që të intervenojmë në buxhet”.
Ismaili ka folur edhe për gjendjen e përgjithshme në shëndetësi. Ka thënë se punët nuk janë mirë, por se tani ka vullnet politik për t’i përmirësuar gjërat.
“Gjendjen nuk e kemi të mirë; kemi pajisje që mungojnë; pajisje, barna, staf profesional që e sheh të ardhmen në Gjermani më shumë se sa në Kosovë. Ky sektor është i nën-financuar”.
“Problemi ka qenë në nivel të vullnetit politik, niveli i vullnetit politik duhet të jetë me vetëdije të plotë që duhet ta ndryshojë gjendjen”.
Por, Ismaili ka deklaruar se ai e ka këtë vullnet të munguar deri tani dhe gjithashtu e ka mbështetjen e partisë së tij e qeverisë së vendit./KlanKosova/