Ministri Ismaili viziton 19-vjeçarin që refuzoi ta operojë mjeku i QKUK-së
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i shoqëruar nga Basri Sejdiu, ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), e kanë vizituar sot 19-vjeçarin Hysen Ibrahimaj, rasti i të cilit u problematizua në medie, pasi një kirurg i QKUK-së refuzoi ta trajtonte.
Gjatë vizitës që i bënë familjes Ibrahimaj në Istog, Ismaili e Sejdiu kanë siguruar se institucionet publike të shëndetësisë, përkatësisht Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) do të ofrojë trajtimin, raporton Ekonomia Online.
Madje, për mediet që e përcollën vizitën, fillimisht ishte paralajmëruar mundësia që i riu menjëherë të transportohej sot për në QKUK. Por, më pas u vendos që familjes t’i jepet kohë që të vendosë a dëshiron ta kryejë operimin në QKUK apo diku tjetër.
“Kemi ardhur për t’u solidarizuar dhe për të ndarë sadopak dhimbjen që e kanë pasur, për shkak se nuk kanë hasur në mirëkuptim gjatë kërkimit të trajtimit të djalit të tyre”, tha kreu i MSh-së.
“Institucionet e QKUK-së janë të gatshme që të japin shërbimet që ata kanë nevojë.
Do të ju ofrojmë të gjitha ndihmat që kanë nevojë që janë të mundshme dhe të ligjshme”, shtoi Ismaili.
“U dhamë përkrahjen dhe treguam që dyert e Qendrës Universitare janë të hapura, se mjekët e tjerë janë të gatshëm për të marr përsipër operacionin. Mirëpo vendimi i mbetet familjes”.
Edhe Basri Sejdiu, u.d. drejtor i ShSKUK-së, shprehu keqardhjen për rastin. Ai tha se me rastin janë duke u marrë institucione përgjegjësie dhe që personat e përfshirë do të dalin para komisionit disiplinor.
“Ndjejmë keqardhje që djali i tyre nuk ka gjetur trajtimin adekuat. Inkurajoj pacientët atëherë kur nuk kanë trajtim adekuat – është vendi, komisioni i ankesave – të reagohet menjëherë; sepse jemi nis për një sistem të reformimit shëndetësor që pacientëve t’iu kthehet besimi në institucionet publike”.
“Kemi reaguar menjëherë. I kemi qitë në komision disiplinor dhe do të merren masa ndaj njerëzve që nuk sillen mirë ndaj pacientëve”, u shpreh Sejdiu.
Kryefamiljari Ibrahimaj u shpreh falënderues për vizitën dhe përkrahjen e dhënë nga ministri Ismaili dhe drejtori Sejdiu. Por, ai tha se ende nuk kanë vendosur nëse do t’i besojnë QKUK-së për trajtimin e djalit të tyre apo do të kërkojnë mundësi të tjera.
“Falënderoj ministrin që ka ardhur në vizitë familjes sonë dhe ka dhënë përkrahjen më të madhe.
Do të shohim. Kemi biseduar me ministrin do të vendosim më vonë, nëse operacioni do të bëhet në QKUK”.
19-vjeçari ishte operuar para 6 muajsh në një spital privat, për shkak të problemit me zorrën e trashë. Operacionin e parë, me rekomandim të kirurgut Fekaj, ai e kreu në spitalin privat e që i kushtoi 2 mijë euro. Ky mjek iu kishte thënë që operacionin e dytë do ta kryente në QKUK pas dy muajsh.
Operacioni nuk është kryer ende dhe 19-vjeçari mbetet me barkun e hapur dhe një drenazh në të.
Familjarët thonë se ky mjek iu ka kërkuar 3 mijë euro për ta kryer operacionin e dytë.
Vetë kirurgu Fekaj e ka pranuar se i ka kërkuar sërish para familjes për operacionin e dytë, por ka thënë se nuk e kishte përnjëmend dhe se paratë i kërkoi me shaka.
Ai ka thënë se familja e ofendoi duke ia cenuar integritetin prej mjeku, andaj refuzoi ta operojë pacientin për herë të dytë. Në krah kirurgut i ka dalë edhe shefi i tij, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, Rifat Bajrami.
Pas ngritjes së rastit, edhe në medie, Drejtoria e SHSKUK-së ka njoftuar se ka nisur masat disiplinore ndaj Dr. Enver Fekajt, kirurg abdominal dhe ndaj drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, Dr. Rifat Bajrami, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe sjelljes jo korrekte ndaj një pacienti.