
Ministri italian i sportit: Jemi gati ta mbështesim Kosovën për infrastrukturën sportive
Në bashkëpunim me Komitetin Organizativ të Lojërave të 20-ta Mesdhetare “Taranto 2026”, Aleanca e Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN), ka organizuar një seminar kushtuar ngjarjes sportive shumëdisiplinore të shumëpritur në qytetin jugor italian protagonist në vitin 2026.
Menjëherë pas Tarantos, edicioni i radhës i Lojërave Mesdhetare do të zhvillohet në Kosovë në vitin 2030, ngjarje kjo e cila kërkon organizim të mirëfilltë, por edhe investime të mëdha infrastrukturore dhe për ta bërë këtë mbështetjen për Kosovën e ka ofruar edhe ministri italian i Sportit, Andrea Abodi.
Ai ka thënë se Italia është e gatshme t’i ofrojë Kosovës mbështetje në aspektin e mënyrës dhe rrugës që duhet ndjekur për ndërtimin e infrastrukturës sportive për organizimin e Lojërave Mesdhetare.
“Së pari, urojmë që të mund të lëmë një trashëgimi pozitive që të mund të jetë mbështetëse për ju miqtë kosovarë. Protokollet organizativë të Taranto 2026, në bashkëpunim me Organizmin Ndërkombëtar shpresoj që të jenë të nevojshme edhe për vendin tuaj. Pastaj, jemi gati për të dhënë çdo mbështetje nga këndvështrimi i bashkëpunimit, pikërisht për eksperiencat infrastrukturore që po ndërtojmë që edhe për Kosovën kjo të jetë një mundësi e zhvillimit të qëndrueshëm”, ka thënë Abodi për KosovaPress.
Ministri për Çështje Evropiane, PNRR dhe Politikat e Kohezionit Tommaso Foti, ka thënë se ndihma nuk do t’i mohohet askujt, e as Kosovës, por që, sipas tij, vendet që marrin përsipër organizime të tilla duhet t’i kenë kapacitetet e tyre.
“Ne nuk i kemi mohuar ndihmën askujt dhe nuk do t’ia mohojmë kurrë. Më duhet të them që sigurisht, kush merr angazhimin për të organizuar lojërat duhet të ketë edhe një kapacitet të vetin për të mund t’i bërë, sepse ndryshe bëhet e vështirë”, ka deklaruar Foti.
E angazhim shumë më i madh nga shteti i Kosovës në përgatitjet për Lojërat Mesdhetare është kërkuar nga Massimo Ferrarese, president i Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026.”
Ferrarese ka thënë se punimet për ndërtimin e impianteve sportive duhet të fillojnë sa më shpejt dhe bashkëpunimi ndërmjet politikës dhe shtëpive sportive të jetë sa më i ngushtë, pasi në të kundërtën rrezikohen vonesa që sjellin pasoja në mbarëvajtjen e kësaj ngjarje sportive.
“Sugjerimi që mund të jap është, të filloni që tani dhe të përfshini të gjitha institucionet në Lojërat Mesdhetare që të mund të evitojnë ndarjet, që të gjithë të mund të ecin në të njëjtin drejtim. Vetëm duke bërë këtë mund të filloni që tani organizimin. Mund të filloni që tani ndërtimin e impianteve. Përndryshe, me ndarjet mund të rrezikoni të vini shumë vonë dhe të veproni kështu siç po bëjmë ne tani me emergjencë, duke punuar ditë e natë, për të përshpejtuar kohët. Mund të imagjinoni që ne po realizojmë 300 milionë euro vepra dhe duhet t’i bëjmë tani në 12 muaj. Do të jetë e vështirë, e rrezikshme. Kështu që duhet bashkëpunim i madh me të gjithë. Nuk ka pjesë politike që bëjnë diҫka dhe të tjerë që nuk bëjnë asgjë. Të gjithë duhet të ecin në të njëjtin drejtim dhe të jenë të përfshirë dhe të evitojnë ndarjet”, ka porositur Ferrarese.
Kosova fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030 para dy vjetësh dhe për këtë ngjarje sportive të rëndësishme janë zotuar 250 milionë euro investime në infrastrukturën sportive.
Seminari “Lojërat e 20-ta Mesdhetare Taranto 2026: Një trashëgimi e sportit, Qëndrueshmëria dhe Dialogu Multikulturor”, u mbajt në mjedisin piktoresk të Kalasë Aragonese brenda sallës së konferencave të ngritur në fshatin “IN Italia” në bordin e anijes “Amerigo Vespucci”.