Ministri i Jashtëm turk: Kosova rrezikon të bëhet shtet nën kontrollin e FETO-s
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se në rast se Kosova nuk mund të shpëtohet nga vorbulla në të cilën ka rënë do të jetë një shtet nën kontrollin e FETO-s.
Ministri Çavuşoğlu mori pjesë në mbledhjen e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Alanya.
Ai në fjalimin e tij me rastin e pjesëmarrjes në këtë program, mes tjerash komentoi edhe rreth situatës në Kosovë, pas deportimit të gjashtë pjesëtarëve të organizatës FETO nga Kosova në Turqi.
“Me ikje jashtë vendit, atje nuk mundeni ta tradhtoni shtetin turk. Kudo që të jeni nuk ka rehati, nuk ka qetësi për ju. Kudo që të jeni do të jepni llogari. Këto ditë i sjellim këto nga disa shtete, dhe i dorëzojmë drejtësisë, gjyqësorit. Së fundi i sollëm nga Kosova. Kosova hyri në telashe. Pse hyri në telashe? Pse u larguan nga detyra? Ndërsa jemi shteti i dytë që njohu Kosovën pas SHBA-ve dhe jemi duke luajtur një politikë aktive në botë për njohjen e Kosovës”, ka thënë Çavuşoğlu.
Ai shtoi se Turqia do të investonte më shumë nëse organizata FETO nuk do të ishte prezente.
“Pse Kosova? Më së shumti ne investojmë. Jemi në vendin e tretë. Ka dy shkaqe; e para FETO. Kanë infiltruar në pikat më të thella të çdo institucioni. Pse i larguan nga detyra disa? Ja njëri prej atyre që erdhi, rrëfeu: Jemi duke i shkolluar fëmijët e atyre, prandaj. I marrin fëmijët e tyre, i marrin fëmijët e elitës. Ato hyjnë në institucionet shtetërore dhe kontrollojnë nga brenda”, ka thënë ai.
(Anadolu Agency)