Ministri Krasniqi: S’mund të ketë asociacion njëetnik

21 nëntor 2021 | 12:32

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal nga radhët e komuniteteve, Elbert Krasniqi, e ka vlerësuar të qetë procesin zgjedhor, duke theksuar se në secilën komunë ku Lëvizja Vetëvendosje ka qenë në garë të gjithë kanë qenë kundër saj.

“Procesi zgjedhor në Kosovë ishte shumë në rregull. Besoj që ka shumë faktorë dhe Lëvizja Vetëvendosje vet do të dalë me një qëndrim të detajuar për këtë proces mirëpo është me rëndësi që rezultati është i tillë dhe qytetari është ai që vendos për preferencat e tij lokale. Balotazhi është kur subjektet politike bëjnë kalkulimet e tyre të ndryshme në interes të tyre. Në secilën komunë të Kosovës aty ku Lëvizja Vetëvendosje ka qenë në garë të gjithë kanë qenë kundër lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ai.

Më tutje, Krasniqi ka theksuar se dialogun me Serbinë e udhëheqë kryeministri Albin Kurti, duke shtuar se nuk ka ndonjë angazhim në këtë drejtim.

Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Krasniqi ka thënë se nuk mund të jetë njëetnik.

“Diskutimet për dialogun me Serbinë i udhëheqë kryeministri. Kështu që deri më tani nuk kam ndonjë angazhim në këtë drejtim. Gjithçka në Kosovë deri sot është ndërtua me idenë që Kosova është shtet multi-etnik dhe në një shtet multietnik nuk mund të ketë asociacion një etnik”, ka thënë Krasniqi për “EO”.

Ministri Krasniqi ka thënë se në qeveri do të jetë zëri i komunave të Kosovës.

Sipas tij, nga granti qeveritar vitin tjetër komunat do të përfitojnë në vlerë prej 8.5 milionë euro, përderisa çdo vjet me nga 6 milionë euro do të mbështeten komunat.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Polonia ka theksuar se kriza me emigrantë në kufirin me…