Ministri Krasniqi: Ura mbi lumin Ibër do të hapet vetëm në koordinim me KFOR-in
“Urën do ta hapim vetëm në koordinim me KFOR-in”,kështu tha ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi në një reportazh ekskluziv për TV Arbëria direkt nga veriu. Ai pohoi se tashmë gjendja në këtë pjesë të republikës po karakterizohet me një siguri krejt tjetër dhe se qytetarët më nuk ndjehen të frikësuar nga bandat e Radojçiçit.
Ministri Krasniqi iu kundërpërgjigj presidentit të Serbisë, Vuçiq, kur ky i fundit mbrëmë kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve lokale në pjesën veriore. “Që të jemi të qartë, zgjedhjet në katër komunat veriore mund të mbahen gjatë muajit prill të vitit 2025 por meqenëse kalendari për zgjedhjet lokale është i caktuar për muajin tetor të po këtij, viti atëherë nuk shoh mundësi që zgjedhjet në këto komuna të mbahen në muajin prill. Këtë e mundëson udhëzimi administrativ i Qeverisë”, tha Krasniqi duke qenë i prerë në përgjigjën e tij se nuk mund të shkilet kushtetuta, ligjet në fuqi e po ashtu edhe ky udhëzim administrativ.
Ai gjatë këtij udhëpërshkrimi televiziv paraqiti detaje shokuese nga vendi i ngjarjes kur është mbyllur njëra prej komunave ilegale të Serbisë. “E shihni këtë objekt të vrazhdë, këtu strukturat ilegale e kanë menduar që të destinojnë këtë si shkollë vetëm për romët, kjo është qasja fashiste”, tha ministri Krasniqi derisa po e shoqëronte ekipin e TV Arbërisë tek ilegale, tashmë të mbyllura nga Qeveria.
Krasniqi shtoi me tutje se nuk do të bëjnë kompromis me zbatimin e ligjit jo vetëm në veri por në të gjithë territorin e shtetit.
Investimet e Qeverisë në veri, prezenca e sundimit të ligjit, e ofrimit të shërbimeve, subvencioneve dhe grantëve për serbët dhe komunitetet e tjera në veri, sipas ministrit të Pushtetit Lokal e kanë ndryshuar ambientin e përgjithshëm, përfshirë edhe të të bërit biznes në këtë pjesë.
Krasniqi është i bindur se gjendja e tashme në veri dhe masat që pritet të merren më tutje në funksion të ofrimit të shërbimeve për qytetarët do të ndikojnë direkt edhe në pozicionin më të mirë në Kosovës në dialogun e Brukselit.