Ministri Krasniqi vizitoi “Sharrcem”-in
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, së bashku me inspektorët e tregut ka vizituar të mërkurën fabrikën për prodhimin e çimentos, “Sharrcem” në Han të Elezit.
Ministri Krasniqi është pritur nga drejtuesit e kësaj fabrike me të cilët ka biseduar për kushtet e punës, tregun dhe ndikimin e pandemisë në prodhim.
Ministri Krasniqi ka thënë se pas nënshkrimit të marrëveshjes me MSA-në janë përgatitur ligje që u mundësojnë bizneseve që prodhojnë produkte ndërtimore t’i plasojnë edhe në tregun e jashtëm.
“Kemi nxjerrë edhe udhëzimin administrativ, pikërisht për çimenton dhe sot nga afër menaxhmenti i kësaj kompanie na njoftoi se ka filluar së zbatuari dhe po i hap shumë mundësi dhe lehtësira për plasmanin e produktit të tyre në treg”, ka thënë Krasniqi.
Kurse, drejtori teknik i “Sharrcemi”-it, Behar Disha, ka falënderuar ministrin për vizitën dhe e ka informuar për punët dhe funksionimin e fabrikës. “Ministri nga afër e ka parë procesin e prodhimit dhe funksionimin deri në paketim për shitje”, ka thënë ai.
Në këtë takim me drejtorin teknik dhe stafin e tij, është biseduar për mundësitë ligjore për prodhuesit dhe investitorët, ku ministri Krasniqi u ka ofruar mbështetjen që prodhimet e Kosovës të jenë pjesë edhe e tregut ndërkombëtar dhe të jenë konkurrentë sa i përket cilësisë.
“Sharrcem” aktualisht përmbush më shumë se 50 për qind të tregut të Kosovës.
(A.M/ Epoka e re)