Ministri Latifi kërkon përkushtimin e kryetarëve të komunave për luftimin e pandemisë
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi kanë mbajtur një takim virtual me kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës me qëllim të koordinimit ndërinstitucional në përballjen me pandeminë Covid-19.
Ministri Latifi i ka informuar kryetarët e komunave për gjendjen e përditësuar epidemiologjike dhe rrjedhën e procesit të vaksinimit.
Latifi dhe Krasniqi kanë falënderuar kryetarët e komunave për bashkëpunimin, duke pasur parasysh se përballja me pandeminë kërkon përkushtimin e tyre në kapacitete maksimale.
Ministri Latifi ka theksuar se në përputhje me rekomandimet e IKShPK-së dhe ekspertëve shëndetësorë janë duke vlerësuar në vazhdimësi situatën epidemiologjike. Në këtë kontekst, Latifi ka kërkuar mbështetjen dhe angazhimin e komunave në fuqizimin e zbatimit të masave, “pasi krahas vaksinimit mbeten mjetet e vetme në frenimin e pandemisë, dhe evitimin e mbylljes totale, kështu evitimin e mbingarkesës spitalore dhe mbylljes së veprimtarive ekonomike dhe shkollave”.