
Ministri Latifi nënshkruan memorandum mirëkuptimi me USAID-in
Pas kërkesës nga ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, USAID-i ka kryer një analizë në Ministrinë e Shëndetësisë, me synim të përmirësimit të proceseve përbrenda ministrisë, me fokus në prokurimin publik, dhe si rezultat i kësaj, në mesin e disa institucioneve lokale dhe qendrore, USAID-i ka përzgjedhur edhe Ministrinë e Shëndetësisë si pjesë e projektit për të ofruar përkrahje në përmirësimin e proceseve të tilla.
Ceremonia e lansimit të aktivitetit të USAID-it që u mbajt sot në ambientet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shënon prezantimin e përkrahjes pesëvjeçare që USAID-i do t’i japë Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, aktivitet ky që do të adresojë sfidat e gjata në lidhje me korrupsionin dhe ofrimin e shërbimeve cilësore, duke përmirësuar menaxhimin e financave publike dhe duke përforcuar mekanizmat e llogaridhënies.
Me këtë rast, ministri Latifi ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për ndihmën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po fillojnë ta japin për Ministrinë e Shëndetësisë përmes projektit të USAID-it, duke nënvizuar se janë e vetmja ministri që është përfshirë në këtë projekt, i cili do të kontribuojë në mënyrë esenciale në arritjen e objektivave për avancimin e proceseve të punës në MSh në përgjithësi, dhe në veçanti për fushat tejet të rëndësishme të prokurimit dhe financave.