Ministri Latifi prezanton shtatë shtyllat e programit të tij për shëndetësinë
Ministri i Shëndetësisë ka prezantuar para përfaqësuesve të institucioneve shëndetësore, të odave të profesionistëve shëndetësor, Shoqatës së të drejtave të pacientëve dhe akterëve të tjerë brenda sektorit shëndetësor programin e tij për shëndetësinë “Rruga drejt transformimit”.
Në këtë takim mori pjesë edhe zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi dhe këshilltari për shëndetësi i kryeministrit Kurti, Jusuf Ulaj.
Prezantimi u bë në kuadër të takimit gjithëpërfshirës për prezantimin e politikave të Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë të cilit, përfaqësues të institucioneve të ndryshme prezantuan, gjithashtu, aspekte dhe të dhëna të ndryshme që kanë të bëjnë me studimet e fisibilitetit dhe infrastrukturën shëndetësore, shërbimet klinike dhe listat e pritjeve për trajtime jashtë institucioneve shëndetësore publike, Fondin e Sigurimeve, tre nivelet e Kujdesit Shëndetësor, sfidat e ballafaqimit me CoviD-19 dhe tematika të tjera.
Pasi ka bërë një elaborim të detajuar rreth gjithë asaj me çka është përballur në sektorin shëndetësor që nga marrja e mandatit, ministri Latifi ka theksuar se digjitalizimi i shërbimeve shëndetësore, përfshirë sigurimet shëndetësore; Kthimi i “trurit” të humbur dhe ruajtja e trurit shëndetësor që ekziston tani, përmes programeve konkrete në shëndetësi; Qendrat klinike të ekselencës dhe shërbimet e avancuara klinike; Kërkimet shkencore dhe krijimi i kapaciteteve hulumtuese; Proceset e akreditimit ndërkombëtar; Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve mjekësore dhe – Decentralizimi i sistemit spitalor dhe ri-organizimi i ShSKUK/QKUK, janë shtatë shtyllat e programit të tij për shëndetësinë.
Ai i elaboroi ndërhyrjet që duhet bërë me qëllim që të arrihen rezultatet e pritura që kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve njerëzore në shëndetësi dhe sigurimin e shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor cilësor.
“Pacienti në qendër të vëmendjes, politika të bazuara në dëshmi shkencore, orientim në hulumtime dhe shtytje e tyre përmes teknologjisë”, janë parimet të cilat duhet të na udhëheqin në punën tonë”, ka thënë ministri Latifi.
Ai ka përmendur se krahas intervenimeve në infrastrukturë dhe riorganizim, krijimi i disa qendrave si Qendra e Emergjencës dhe Traumës; Qendra për kancer të Gjirit, pastaj programet e integruara dhe të avancuara në Onkologji; Kirurgjia endoskopike; Qendra e avancuar e Neurokirurgjisë, etj., do të jenë pjesë e programit të tij, ndërkohë që adresoi edhe sfidat e kuadrit deficitar në Anesteziologji dhe Kujdes Intensiv si dhe në lëmi të tjera të cilat do të trajtohen.