Ministri Latifi refuzon t’i përgjigjet deputetit të Listës Guxo
Deputeti i Listës Guxo, Burim Meta e ka pyetur ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi për një projekt të qeverisë me Bankën Botërore lidhur me shëndetin mendor. Pasi nuk ka marrë përgjigje të qartë, ministri Latifi ka refuzuar t’i përgjigjej sërish atij.
“Çështja më e rëndësishme për mua është të dijë rreth një projekti për shëndetin mendor që bëhet me Bankën Botërore përmes kredisë së qeverisë tonë. Ju lutem më informoni se deri ku ka mbërri procedura, çka ka të rre rreth kësaj?”, ka pyetur Meta.
Ndaj kësaj pyetje, ministri Latifi ka folur për “disa projekte që janë në proces të përfundimit që të fillojnë sa më parë”, por nuk ka folur specifikisht për projektin për të cilin e ka pyetur deputeti.
“A ke pyetje tjetër?”, e ka pyetur deputetin Meta, kryeparlamentari Glauk Konjufca, kur pa se ai po e kërkonte fjalën sërish.
“I nderuar kryetar, nuk desha, por….”, ia ka nisur deputeti, duke e vendosur dorën në kokë.
“Narracioni i ministrit… i nderuar ministër, kjo që e thatë, gjithçka mundet me qenë, por vetëm përgjigje të cilën e kërkova në pyetjen time, jo. Të lutem, më thuaj, ku është projekti me Bankën Botërore që është bërë përmes Qeverisë. Ma thuaj të lutem”, ka thënë Meta.
Ai ka thënë se këtë pyetje e kishin bërë edhe deputetë të tjerë dhe nuk kishin marrë përgjigje.
Ministri nuk ka dashur të përgjigjej më. “Ministër po besoj që e ke kuptuar se çfarë po kërkon deputeti. A dëshiron me u përgjigj? Jo. Ministri nuk dëshiron me u përgjigj…”, ka thënë Konjufca.