Ministri Latifi shkon në Turqi për të forcuar bashkëpunimin në shëndetësi
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka filluar një vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë, ku të martën ka vizituar disa institucione shëndetësore në Ankara.
Fillimisht, ministri Latifi është njohur nga nikoqirët në Spitalin e Ankarasë, respektivisht nga dr. Fehmi Ajdinli nga Drejtoria e Përgjithshme për Marrëdhënie me Jashtë dhe Bashkimit Evropian lidhur me funksionimin e sistemit shëndetësor të Turqisë.
Në diskutimet aty, ministri Latifi i ka informuar zyrtarët në këtë spital me sistemin shëndetësor të Kosovës, derisa vizitën e ka konsideruar si një mundësi të mirë për këmbim përvojash sa i përket ndryshimit të përgjithshëm të sistemit shëndetësor në Kosovë, duke vlerësuar se Turqia ka bërë përparim të madh në këtë sistem.
Ai ka thënë se, në këtë aspekt, është për t’u theksuar qasja reale dhe efikase e funksionimit të sektorit publik dhe privat në Turqi dhe modeli i ndërtimit e veprimit të këtyre dy sektorëve.
Po ashtu, ministri Latifi ka diskutuar në Agjencinë Turke e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, (TITCK), lidhur me sektorin farmaceutik, ku Selin Imamoglu nga ky institucion ka bërë një prezantim të fakteve rreth funksionimit të sektorit farmaceutik në Turqi, duke filluar nga prodhimi, kontrolli i produkteve e deri të shpërndarja e tyre në qendrat spitalore.
Gjatë takimeve me zyrtarë shëndetësorë në Ankara ministri Latifi ka diskutuar me nikoqirët edhe për shërbimin ndërkombëtar shëndetësor, si dhe investimeve shëndetësore të shtetit të Turqisë.
Të gjitha këto takime, ministri Latifi i ka realizuar në Spitalin e qytetit të Ankarasë.