Ministri Latifi: Vaksinimi, mënyra më efektive në parandalimin e Covidit
Për më shumë se një vit, vaksinimi kundër Covid-19 ka qenë prioritet numër një në botë në ballafaqimin me Covid-19 dhe, gjithashtu edhe në Kosovë. Kështu ka thënë të premten ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, në ceremoninë e ndarjes së mirënjohjeve për ekipet e vaksinimit në Komunën e Pejës, të cilat ekipe i ka falënderuar për punën në vaksinimin e popullatës.
“Të jesh në krye dhe pjesë e këtij procesi jetik për shëndetin publik të popullatës, është sa përgjegjësi, aq edhe motiv dhe privilegj për t’i shërbyer popullatës në ditë shumë të vështira”, ka thënë ai, duke theksuar se përderisa klinicistët janë heronjtë tanë në trajtimin e të prekurve me Covid-19, ekipet e vaksinimit janë heronjtë e parandalimit të shumë vdekjeve nga Covid-19 në Kosovë përmes vaksinimit.
Ministri Latifi ka thënë se vaksinimi mbetet mënyra më e thjeshtë dhe më efektive në parandalimin e formave të rënda të sëmundjes nga Covid-19.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të vaksinohen, sepse pandemia nuk ka përfunduar ende ndërsa në vende të ndryshme të botës është duke u përhapur nën-varianti BA 2 i Omicron, që e bën vaksinimin të domosdoshëm.
Drejtoresha e QKMF-së në Pejë, Myrvete Salihu, ka falënderuar ministrin Latifi për bashkëpunimin, kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme që ka treguar në këtë proces.
Po ashtu, ka falënderuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë për mbështetjen e vazhdueshme të procesit të vaksinimit kundër Covid-19 me staf mbështetës.