Ministri Lekaj premton 8 milionë euro investime në Deçan
Ministri i Infrastrukturës (MI), Pal Lekaj, ka vizituar të premten komunën e Deçanit ku është pritur në takim nga kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj.
Lekaj ka thënë se ministria që ai drejton do ta mbështesë Deçanin në projekte të cilat do të kenë ndikim pozitiv në jetën e deçanasve.
Në këtë kontekst, Lekaj ka bërë me dije se Deçani do të përfitojë 8 milionë euro, të cilat do të shfrytëzohen për projekte lokale. “U zotuam se do ta mbështesim fuqishëm Deçanin në projektet lokale që kanë impakt pozitiv për zhvillimin ekonomik, por edhe për zhvillimin e turizmit. Ne kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me komunën e Deçanit dhe jemi zotuar që këto projekte nuk do të stërzgjaten”, ka thënë Lekaj.
Ai ka thënë se është lajm i mirë për Deçanin edhe fillimi i rrugës Deçan-Plavë që është segment i rëndësishëm i lidhjeve të dy shteteve, Kosovë-Mali Zi.
Ndërsa kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka falënderuar ministrin Lekaj për mbështetjen.“E falënderoj ministrin për përkushtimin dhe zotimin e tij. E bëmë një marrëveshje të bashkëpunimit dhe në bazë të kësaj marrëveshje, qytetarët e Deçanit janë përfituesit më të mëdhenj sepse po bëhet fjalë për një investim 8 milionë euro nga Ministria e Infrastrukturës”, ka thënë Ramosaj.