Ministri Liburn Aliu priti në takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi
Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi, të shoqëruar nga sekretarja e parë e ambasadës, znj. Klodiana Karaj, e priti sot në takim ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu, bashkë me shefen e kabinetit të tij, znj. Rineta Jashari, dhe asistenten ekzekutive, Lirika Komoni.
Ambasadori, z. Minxhozi, e uroi ministrin Aliu për detyrën e re, dhe i dëshiroi sukses në punën e tij.
Duke nënvizuar rëndësinë e kësaj ministrie për mjedisin dhe infrastrukturën, ai tha se pret vazhdim të bashkëpunimit mes dy shteteve tona, e sidomos në projekte që lehtësojnë lëvizshmërinë e komuniteteve lokale që jetojnë në pjesën ndërkufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Ministri Aliu e falënderoi për vizitën dhe urimin, si dhe ndau bindjen e tij që bashkëpunimi mes dy vendeve tona sa i përket çështjeve që lidhen me mjedisin dhe infrastrukturën vetëm sa do të shtohen në të ardhmen.
Projektet që lehtësojnë lëvizshmërinë, jetën e qytetarëve, dhe njëherazi ndihmojnë në menaxhim më të mirë të mjedisit, dhe zhvillimin e qëndrueshëm do ta kenë vëmendjen tonë të plotë, theksoi ministri Aliu.