Ministri Likaj dhe kryetari i SBAShK-ut bisedojnë për fillimin e vitit të ri shkollor
Ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASh), Ramë Likaj, ka pritur në takim kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, me të cilin ka diskutuar lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021 në ambientet shkollore.
Ministri Likaj, në këtë takim ka folur për koncept dokumentet të cilat janë hartuar për fillimvitin shkollor, sipas rrethanave të krijuara nga pandemia Covid-19, ku secili vendim do të merret në konsultim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë,
IKShPK-në dhe institucionet tjera relevante. Ministri Likaj dhe kryetari Jasharaj janë pajtuar që të formohet një komision i përbashkët në mes të Ministrisë së Arsimit dhe SBAShK-ut për rishikimin e Kontratës Kolektive, si dhe për mundësinë e vazhdimit të programit për ngritjen profesionale të mësimdhënësve, pa shkëputje nga puna.
Ndër të tjera, ministri Likaj është zotuar që të vazhdojnë përpjekjet e përbashkëta për të gjetur një zgjidhje të drejtë dhe ligjore për mësimdhënësit, të cilët janë të prekur nga sëmundje të rënda.