Ministri Likaj: Rreth 32 mijë nxënës nuk kanë marrë pjesë në mësimin online
89 për qind e nxënësve të Kosovës kanë ndjekur mësimin online gjatë pandemisë Covid-19, ndërsa 32 mijë nxënës nuk kanë ndjekur fare këto mësime.
Këto statistika janë bërë me dije nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ku është diskutuar lidhur me organizimin e mësimit në distancë gjatë periudhës me pandemi.
Likaj ka thënë se pjesëmarrja e nxënësve në mësimin online ka qenë e kënaqshme.
“Pjesëmarrja në mësimin online ka qenë e kënaqshme, ku 89.4 për qind e nxënësve janë mbuluar me mësimin në distancë. Një pjesë e nxënësve nuk kanë pasur teknologji dhe nuk kanë pasur sinjal televiziv ku është transmetuar mësimi në distancë. Rreth 32 mijë nxënës nuk kanë marrë pjesë në mësimin online. Fëmijët me aftësi të kufizuara, kjo kategori ka pasur vështirësi”, ka thënë Likaj.
Më tutje, ai ka thënë se nuk ka pasur një përshtatje të kurrikulave me mësimin online, duke shtuar se fëmijët kanë qenë të ngarkuar edhe me detyra të tepërta.
Sa i përket mbajtjes së testit të arritshmërisë dhe atë të maturës, Likaj ka thënë se dje kanë vendosur që këto testime të mbahen. /Kosovapress/