Ministri Likaj takohet me kryetarët e tri komunave, bisedojnë për fillimin e vitit shkollor
Ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASh), Ramë Likaj, ka vizituar të hënën komunën e Fushë Kosovës, atë të Kaçanikut dhe komunën e Hanit të Elezit, ku është takuar me kryetarët e këtyre komunave Burim Berisha, Besim Ilazi dhe Rufki Suma, si dhe me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA).
Në të tri takimet me krerët e komunave, është biseduar rreth përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021 dhe për rolin e komunave në këtë drejtim.
Ministri Likaj ka folur për përgatitjet që janë bërë nga ana e MASh-së dhe komunave për fillimin e vitit të ri shkollor, ndërsa përmendi faktin se në Udhëzuesin e përgjithshëm për organizimin e mësimit në vitin shkollor 2020/2021, në kushtet e pandemisë Covid-19, janë marrë parasysh vlerësimi i gjendjes dhe udhëzimet e UNESCO-s, UNICEF-it, Bankës Botërore, udhëzuesit e CDC-së, IKShPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Po ashtu, me këtë rast janë marrë parasysh edhe praktikat e disa vendeve të BE-së.
Ministri Likaj ka kërkuar nga kryetarët e komunave që të marrin masat e nevojshme dhe të jenë të gatshëm për cilindo nga skenarët e përcaktuar me Udhëzuesin e përgjithshëm për organizimin e mësimit.
Ndërsa kryetari i Fushë Kosovës, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit janë zotuar se nga ana e tyre nuk do të mungojë bashkëpunimi me MASh-in dhe të gjitha institucionet tjera relevante, në mënyrë që të ketë një fillim të suksesshëm të vitit të ri shkollor dhe në cilindo variant të jetë prioritet ruajtja e shëndetit të nxënësve, mësimdhënësve dhe të gjithë akterëve të institucioneve edukativo-arsimore.