Ministri Lluka: Energjia e pastër do të jetë gjeneruesja kryesore e vendeve të punës
Në Prishtinë është mbajtur eventi njëditor i lansimit të Rrjetit të Bizneseve për Energji të Pastër (N4CEB) ku janë duke marrë pjesë përfaqësues nga Qeveria e Republikës së Kosovës, sektori privat, institucionet financiare dhe nga akademia.
Në këtë ngjarje ka marrë edhe pjesë ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili para të pranishmëve, ka thënë se tranzicioni në sektorin energjisë mbetet një prej sfidave kryesore, mirëpo sipas tij Kosova edhe përkundër faktit që përballet me sfida të shumta në këtë fushë ka shënuar progres.
“Investimet në fushën energjisë së ripërtërishme përkundër rritjes ende nuk e kanë përmbushur tragetin e paraparë. Sot ne kemi në operim 7 hidrocentrale, 5 impiante e panele solare dhe 2 të erës, me një kapacitet prej rreth 77 megavat. Ndërkaq 22 gjeneratorë janë në proces të ndërtimit me kapacitet rreth 178 megavat”, ka thënë Lluka.
Por pavarësisht të arriturave, Lluka ka përmendur edhe sfidat me të cilat mund të përballet Kosova në të ardhmen sa i përket sektorit të energjisë siç janë; përmbushja e targeteve të rinj që dalin nga Plani për Energji dhe Klimë 2012 -2030 si dhe kalimi nga procedura e autorizimit në procedura të skemave konkurruese të tregut.
“Kur jemi te Plani për Energji dhe Klimë një target tjetër do të jetë sfidues për Kosovën që lidhet me fushën efiçiencës së energjisë. Aprovimi i ligjit për EE, themelimi i Fondit për EE, zhvillimi i planeve komunale të EE si dhe forcimi i infrastrukturës administrative janë reforma që ndjeshëm do të prekin inventiven për mobilizim të investimeve në këtë fushë si dhe krijimin për zhvillim të biznesit”, ka thënë ministri Lluka.
Më tutje, ministri Lluka, ka theksuar se lidhur me financimin e projekteve në fushën e burimeve të ripërtërishme është lajm i mirë fakti se janë përmbushur të gjitha komentet e Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim që lidhen me marrëveshjen për shitblerjen e energjisë dhe së shpejti do të jenë të gatshëm të financojnë këto projekte.
I pranishëm në këtë aktivitet ka qenë edhe ambasadori gjerman, Christian Heldt, ka thënë se Kosova mund të jetë lider dhe shembull në energji të pastër.
“Në Kosovë ka projekte të energjisë së pastër të cilat janë zhvilluar dhe ne besojmë se Kosova mund të jetë lider në rajon dhe të jetë shembull për vendet e tjera”, ka thënë ambasadori gjerman.
Kjo ngjarje është organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano – Kosovare (KDWV) në bashkëpunim me Qeverinë gjermane përmes Projektit për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë, Deutche Gesellschaft fur internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.