Ministri Lluka nënshkruan në Vjenë marrëveshjen e parë në histori për zhvillimin e projektit energjia nga dielli
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka bërë me dije se me marrjen e mandatit të ministrit, dy vjet më parë pati dhënë zotim para qytetarëve të Kosovës për zhvillim ekonomik të vendit, krijim të kushteve për investime të huaja direkte, diversifikim të resurseve energjetike e promovim të energjisë së pastër me qëllim të mbulimit të nevojës për konsum të brendshëm, respektivisht zvogëlimin e importit e ndërprerjen e humbjeve të biznesit si pasojë e furnizimit jo të rregullt me energji.
Ndërkaq sot në Vjenë të Austrisë, Lluka ka nënshkruar marrëveshjen e parë në histori të Republikës së Kosovës me zëvendëspresidenten e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (pjesë e Bankës Botërore), Georgina Baker, për zhvillimin e projektit energjia nga dielli me kapacitet 50MW, përmes partneritetit publiko-privat, mbi baza konkurruese.
“Zhvillimi i projekteve të tilla të partneritetit publiko-privat, përveç se do të fuqizoj tutje aktivitetin ekonomik të vendit duke gjeneruar rritje ekonomike e vende të reja të punës, do të ndikojë drejtëpërdrejt në ulje të cmimit të energjisë për konsumatorë, rritje të transparencës dhe përmbushje të obligimeve të Republikës së Kosovës karrshi direktivave të Bashkimit Evropian për diversifikim të gjeneratorëve të energjisë elektrike”, ka shkruar Lluka në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/