Ministri malazez jep dorëheqje, kjo është arsyeja
Ministri për Zhvillim dhe Turizëm i Malit të Zi, Pavlle Radulloviq, ka dhënë dorëheqje pas shfaqjes së një videoje, e cila tregonte inspektorë të ministrisë së tij duke marrë ryshfet nga një biznesmen.
Në videon të cilën e ka transmetuar televizioni lokal “Vijesti”, inspektorët dëgjohen duke kërkuar para nga një burrë, i cili dëshiron të vazhdojë ndërtimin e një ndërtese në qytetin e Budvës, edhe pse i ka skaduar leja.
Kur njëri nga inspektorët pyet: “A i keni sjellë?”, biznesmeni i supozuar thotë se i ka vetëm 5 000 euro, edhe pse shuma totale që është kërkuar thuhet se ka qenë 20 000 euro.
“M’i jepni nën tryezë”, dëgjohet pastaj inspektori.
Ministri Radulloviq, në këtë detyrë qysh në vitin 2016 në një konferencë për medie pati thënë se do të japë dorëheqje për shkak të incidentit.
“Unë nuk kam arritur ta zhduk këtë lloj sjelljeje”, kishte thënë ai, duke shtuar se procedurat disiplinore tashmë kanë nisur.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë dy nga sfidat më të mëdha, me të cilat përballet Mali i Zi , vend që synon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.