Ministri Maqedonci: Do të vazhdojmë investimet në FSK
Në margjinat e forumit “Defense 24”, i cili është mbajtur në Poloni, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka takuar zëvendësministrin e Lituanisë, Zhilvinas Tomkus.
Ai ka takuar edhe zëvendësministrin e Koresë së Jugut, Sung IL, ish-ministrin e Mbrojtjes të Polonisë si dhe anëtarin e Parlamentit, Mariusz Błaszczak.
Me zëvendësministrin e Koresë së Jugut, Maqedonci ka bërë me dije se ka diskutuar rreth formave se si mund të vendoset bashkëpunimi ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Koresë së Jugut, me theks të veçantë në industrinë e mbrojtjes.
“Po ashtu vizitova shtandet e kompanive prodhuese të industrisë së mbrojtjes të cilat prezantonin produktet e teknologjisë së fundit. Në tre vitet e fundit kemi investuar në ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë sonë shumëfish më shumë se pesëmbëdhjetë vitet e kaluara. Do të vazhdojmë investimin në përputhje me planin operacional, kërkesat dhe nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Që nga viti 2025 do të hyjmë në fazën e tretë të implementimit të PGjT-së. Fazë tjetër, investime të reja”, ka shkruar Maqedonci në “Facebook”.