Ministri Maqedonci për TV. Arbëria “nga UÇK te FSK, jemi gati në çdo kohë t’i përgjigjemi secilit provokim nga Serbia”
Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, në një intervistë ekskluzive për TV Arbëria, i ka përgënjeshtruar zërat se është zbehur mbështetja amerikane në fushën e mbrojtës dhe sigurisë për Kosovën. Ai ka pohuar se kjo përkrahje nuk ka munguar asnjëherë nga aleatët dhe sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i ndërtuar kapacitetet mbrojtëse. Pavarësisht mos pajtimeve eventuale politike dhe diplomatike që janë shfaqur kohë pas kohe, megjithatë bashkëpunimi në sferën e sigurisë ka vazhduar pa asnjë pengesë.
Me këtë rast, ai ka përmendur edhe vizitën e tij zyrtare në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes si dhe nënshkrimin e marrëveshjes mbi prioritetet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Departamentit homolog amerikan për gjatë dy viteve të ardhshme. Edhe pajisja me raketa Javelin është pjesë e këtyre marrëveshjeve të përbashkëta.
Ndërkohë sa i përket aftësisë së FSK për ta mbrojtur vendin në rast të ndonjë sulmi nga Serbia, ministri Maqedonci, ka deklaruar se dy deklarata kontradiktore të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuciq, më së miri e shprehin këtë fakt. Fillimisht lideri serb pat pohuar, se Kosova mund të na sulmojë vetëm me mushkonja. Mirëpo, pak më vonë më vonë, i njëjti kishte deklaruar se FSK po bëhet një forcë gjithnjë e më përgatitur, dhe ishte ankuar për sistemin e armatimit, sikurse raketat Javelin dhe dronët Bajraktar.
Serbia e dinë që Kosova është e pavarur dhe e dinë se Ministria e Mbrojtjes, FSK dhe të gjithë institucionet tjera shtetërore janë të gatshme për të mbrojtur atë që është arritur me mundin dhe gjakun e dëshmorëve, ka pohuar ndër tjera ministri Maqedonci . Natyrisht, rritja e prezencës së trupave serbe përgjatë vijës kufitare është shqetësuese. Janë përafërsisht 48 baza operacionale, që ushtria dhe xhandarmëria serbe i ka vendosur në një diametër prej 300 metra deri në 5 km nga vija jonë vijës kufitare, të cilat paraqesin një kërcënim dhe presion ndaj Kosovës. Mirëpo, ne jemi të gatshëm që të mbrojmë me çdo kusht të jetën e qytetarëve tanë.
Kështu, Serbia krahas mjeteve diplomatike po e ushtron presion për të mbajtur në tension si Kosovën ashtu edhe NATO-në. Mirëpo, zyrtari më i lartë i Mbrojtës në Kosovë, në fund ia kujtuar Serbisë faktin se derisa ne kemi qenë të gatshëm ta luftojmë kundër saj me armatim shumë të kufizuar gjatë luftës, e lërë më sot që Forca e Sigurisë së Kosovës është ndër forcat më të furnizuara në regjion.